Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë. Në vitin 2016 më 14 shtator, Edita Tahiri në atë kohë ministre e Punëve të Jashtme dhe kryenegociatore në Dialogun e Brukselit me Serbinë, kishte nënshkruar marrëveshjen e reciprocitetit për targa të automjeteve në mes dy vendeve. Ndërkaq pika pesë e kësaj marrëveshje thotë se, “Kosova do të zgjasë validitetin e tabelave KS për pesë vite në fund të së cilës çështja do të shqyrtohet nga të dyja palët (me ndihmën e BE-së nëse kërkohet)”.
“Me këtë marrëveshje është vendosur parimi i reciprocitetit në tabelat e automjeteve në mes të dyja shteteve, që do të thotë se çfarë vlen për tabelat e njërit shtetet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër, si dhe kjo marrëveshje i jep fund përdorimit të tabelave “prova” të cilat njëanshëm ishin vendosur nga ana e Serbisë ndaj veturave me regjistrimin RKS të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë bërë në vitin 2016, në kohën kur u nënshkrua kjo marrëveshje. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka thirrur një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilin tema kryesore është paralajmëruar të jenë ngjarjet në Kosovë, njoftojnë mediat në Serbi.
Kryetari i partisë së mbështetur nga Beogradi Lista Srpska, Goran Rakiq, i ka bërë thirrje Vuçiqit të “reagojë” në lidhje me masat e reciprocitetit të targave. “U bëj thirrje të gjithë personave që janë mbledhur të përmbahen, gjithashtu Prishtina të mos rris tensionet. Ky është një kërcënim direkt tek popullata që shqetësohen si do sigurojnë ushqim për fëmijët e tyre. Në gjithashtu kemi informuar të emëruarin special për dialog Mirosllav Lajçak dhe kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian të na ndihmojë”, tha Rakiq në pikën kufitare në Jarinje.
Post a Comment